Flori Uka tregon sekretet e verës, që nga ruajtja e deri tek shijimi i saj!

Flori UKA, somelieri i mirënjohur shqiptar ndan me miqtë e tij virtual në Vanto, disa nga sekretet e shijimit të duhur të verës. Nëpërmjet pyetjeve tona kemi arritur të zbulojmë disa teknika profesionale rreth kësaj pije kaq të veçantë dhe të dashur në tryezat e gjithë familjeve shqiptare.

Flori, a mund të ndani me ne se cilat janë hapat e duhur për degustimin dhe shijimin e verës?

F.Uka: Po, patjetër. Për të shijuar një verë na duhet të ndjekim 3 hapa kryesorë:

Ana vizive – Me këtë kuptojmë cilësinë e ngjyrës së verës. Dallojmë nuancat e ngjyrës për të treguar nëse vera është e vjetëruar apo jo. Dallojmë nëse vera është e kthjellët ose

Ka precipitime, gjithashtu dallojmë edhe viskozitetin e saj ose fortesine alkolike që dallohet nga “lotët” e verës. Sa më të trasha të jenë ato, aq më alkolike është vera.

Nuhatja – Nuhatja është procesi më i rëndësishëm i degustimit të verës. Me nuhatjen presupozohet që të shijojmë përreth 70-80% të verës. Kjo, sepse aparati shqisor i hundës arrin të perceptojë mijëra aroma të ndryshme, ndryshe nga ai i gojës që dallon vetëm të ëmblën-hidhurën-thartën-kripurën.

Gjatë nuhatjes sugjerohet gjithmonë një ajrosje në gotë herë pas herë që të bëhet i mundur çlirimi i aromave.

Me nuhatje mund të dallojmë aromat e ndryshme të verës (bouquet-in) e saj. Mund të përcaktojmë varietetin e rrushit, pjekurinë, zonën e kultivimit e shumë veçori të tjera. Gjithashtu, me anë të aromës mund të identifikojmë edhe defektet e ndryshme që ndodhin në verë. Psh, raste si ai i oksidimit-uthullimit-ndotjes bakteriale, etj.

Shijimi – Shijimi është verdikti final i degustimit të verës. Sigurisht që është shumë i rëndësishëm pasi të gjithë në fund duam të shijojmë atë që ne e quajmë një pije magjike. Gjithmonë, në gllënkën e parë, sugjerohet një përzierje e verës në gojë duke futur pak oksigjen, që perceptimi të shkojë sa më lartë drejt aparatit shqisor të hundës për t’u shprehur më shumë vera. Më pas shijet e verës janë të ndryshme dhe shumë subjektive. E rëndësishme është që shijet të jenë të pëlqyeshme dhe të sjellin një balancë të kënaqshme në gojë. Mos të jetë agresive ose me tendeca difektoze. Nëse të pëlqen shija atëherë vera është e mirë 😊

 

Ku ndryshon degustimi i verës së bardhë nga ajo e kuqe?

F.Uka: Ndryshimi i parë që i domosdoshëm është temperatura e servirjes. Gjithmonë, vera e bardhë shërbehet në temperaturë më të ulët se e kuqja. Temperatura e sugjeruar është 10-12°C, ndryshe nga e kuqja 14-15°C.

Ndryshimi tjetër është përshtatshmëria me ushqimet. Gjithmonë verërat e bardha përshtaten me mishëra të bardha, ndryshe nga e kuqja që kërkon mish të kuq.

Shpesh herë, vera e bardhë mund të pihet edhe pa ushqim pasi është më e lehtë se e kuqja dhe përdoret si një shoqëruese shumë e mirë e stinës së verës (plazhit) duke përfshirë këtu edhe verërat e shkumëzuara (shampanjë – prosecco) që mund të quhen edhe si aperitivë.

 

Është një fakt apo një mit që vera e bardhë duhet të shoqërojë peshkun apo mishin e pulës dhe vera e kuqe mishin e kuq?

F.Uka: Është fakt dhe e vërtetuar shkencërisht.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh për ta patur më të lehtë përshtatshmërinë e ushqimit me verën, që ngjyra e pijes duhet të jetë e ngjashme me ngjyrën e ushqimit. Ky do ishte shembulli më i thjeshtë për ta shpjeguar. Kjo sepse një verë e kuqe e fortë mund t‘a dominojë shijen e një peshku të lehtë dhe ky kontrast nuk do jepte një experiencë të mirë në një vakt. E njejta gjë ndodh dhe anasjelltas me verën e bardhë dhe mishin e kuq.

 

Sa i rëndësishëm është materiali i gotës apo madhësia e saj në shijimin e verës?

F.Uka: Është e rëndësishme që gota të jetë material qelqi. Sigurisht, për një shije sa më të shprehur kërkohet edhe një qelq sa më cilësor, mund të quajmë gotat e kristalit ato më të mirat sepse pastrohen më mirë dhe nuk mbajnë mbetje nga proceset e larjes në sipërfaqen e tyre.

Gjithashtu forma e gotës është një faktor i rëndësishëm për një shprehi sa më të mirë të verës. Forma të ndryshme shprehin karakteristika të ndryshme të veres. Po përmendim disa nga to.

Fronti i gjatë i gotës së verës ka si qëllim që aroma e duarve mos të interferojë me aromat e verës, prandaj është i gjatë që të ketë një distancë të konsiderueshme gjatë nuhatjes së verës që thamë është procesi më i rëndësishëm i degustimit. Fronti i gotës (bishti) gjithashtu nuk lejon kontaktin e duarve me pjesën e mbushur që mos të ndikojnë në temperaturën e verës.

Verërat e kuqe shërbehen në gota me diametër më të gjerë, kjo sepse duhet një sasi oksigjeni më e lartë që vera të ajroset dhe të shprehet më shumë. Më i gjerë diametri, më e madhe sipërfaqja e kontaktit me oksigjenin.

Gotat e verërave të gazuara (champagne) janë të holla e të gjata për të evidentuar bulëzat (perlage) e CO². Një vazhdimësi e zgjatur e bulëzave tregon cilësi të lartë të verërat e gazuara dhe kjo kërkon një gotë të përshtatshme për t`a dalluar.

 

Nëse do veçoje një kombinim verë dhe ushqim, cili do ishte dhe pse?

F.Uka: Një kombinim ndërkombëtar do ishte

Ostrike-Champagne. Sa do që nuk është kombinimi perfekt, por janë të dyja produkte që çlirojnë endorfinë dhe janë afrodiaziak. Vështirë ti rezistosh!

 

Sa i rëndësishëm është procesi i vjetërimit dhe temperatura e ruajtjes?

F.Uka: Është shumë i rëndësishëm në disa verëra të kuqe të cilat janë akoma të pa ekuilibruara në vitet e tyre të para. Verërat e vjetëruara prodhohen nga rrush me parametra të larta të komponentëve tanik. Komponente këto që kontribuojnë në jetëgjatësinë e verës të cilat japin edhe shijen e rrudhosjen në gojë.

Që ato të japin një shije të balancuar në gojë dhe të bëhen ngacmuese për qiellzën, duhet të vjetërohen për një kohë të gjatë 5-10 vite, sigurisht edhe në një temperaturë të kontrolluar. Temperatura ideale është 12-14°C. Temperatura më të larta tentojnë ti oksidojnë ose ti shkatërrojnë këto kompetent taninash dhe antocianesh (antioksidante).

 

Cilat veçori duhet të ketë kabineti ftohës i verërave që të arrijmë t’i shijojmë gjithmonë në maksimumin e tyre? Ti cilin ke përzgjedhur për koleksionet e tua?

F.Uka: Kam pasur për shumë vite dhe vazhdoj të kem kabinetet nga Liebherr, por jam shumë i lumtur që më në fund kam edhe kabinetin ftohës nga Asko, i cili është krijim i somelierëve më të mirë në botë. Përveç skanimit dhe inventarizimit të një kapaciteti të lartë si 190 shishe, më pëlqen që ka 3 zona të ndryshme temperature sepse më lejon ti ruaj në temperaturën e duhur koleksionet e mija. Gjithashtu, zona e purove dhe djathrave është me lagështinë optimale dhe më ofron komoditet të jashtëzakonshëm që nga servirja e deri tek shijimi i verërave. I sugjeroj me bindjen time të plotë.

Së fundmi, nëse do zgjidhnit një shtet të veçantë për ju, lidhur me verën, cilin do veçonit dhe pse?

F.Uka: Do zgjidhja Shqipërinë duke lënë hapësirë me vendet e tjera të botës. Shqipëria po rishkruan çdo vit historinë e verëtarisë e cila nuk është shkruar ndonjëherë. Kjo për shkak të pushtimeve dhe shtypjes shumëvjecare që ka kaluar kjo hartë.

Klima dhe territoret e verës në Shqipëri kanë diferencë të lartë me një pjesë të mirë të zonave prodhuese ndërkombëtare.

Verërat shqiptare ashtu si edhe koleksioni i prodhimeve të kantinës sonë Ukawine, po vlerësohen maksimalisht nëpër evente dhe konkurse me influencë.

Të falenderojmë për kohën dhe këshillat e vlefshme të shijimit të verës!

Faleminderit juve. Një ditë, miqtë virtual mund ti pres në showroom për të degustuar së bashku!

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *